​IKSHPK: Variantit “Delta” ia kemi ndalë turrin

Përkundër raportimit të shumë rasteve pozitive dhe vdekjeve nga coronavirusi, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka thënë se “Delta variantit i është ndalë turri”.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, IKSHPK thotë se virusi bartet shumë shpejt prej një personi në dhjetëra persona tjerë me pasoja që në të shumtën e rasteve mund të jenë fatale e që fatkeqësisht preken edhe fëmijët.

IKSHPK apelon të respektohen masat dhe rekomandimet e vendosura nga Qeveria.

“Ju lutemi të zbatoni masat e rekomanduara nga IKSHPK nga çdo qytetar i Republikës. Vetëm së bashku do ta rrafshojmë lakoren epidemike dhe do ta ndalim tërbimin e virusit SARS CoV-2. Bashkë me masat tashmë të njohura: bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës, do të arrijnë efektin e vet ne uljen e lakores, ju lutemi të besoni se masa më efikase në luftë kundër COVID-19 është VAKSINIMI”, thuhet në postimin e institutit.

Ndërsa në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 1,682 raste të infektimit, pas testimit të 10,710 mostrave.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 22 gusht janë shëruar 263 pacientë nga sëmundja COVID-19, derisa raste aktive janë 19,695.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar mbi 125,000 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,315 kanë vdekur.