​Donacion për Klinikën e Gjinekologjisë nga AMC dhe LDS Charities

Fondacioni Action for Mothers and Children në bashkëpunim me LDS Charities sot ka dorëzuar pajisje për mbrojtje personale të personelit shëndetësor kundër COVID-19, në Barnatoren Qendrore në QKUK, në vlerë rreth 10 mijë euro, të cilat dedikohen për klinikat e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë dhe spitalet rajonale.

Drejtori ekzekutiv i AMC-së, Vlorian Molliqaj, tha se do të vazhdojnë të mbështesin institucionet shëndetësore në Kosovë, duke u munduar që t’i përmbushin nevojat e tyre për pajisje dhe materiale të ndryshme shëndetësore.

“Shpresojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe më tutje në mënyrë që institucionet tona shëndetësore të jenë sa më të furnizuara dhe përgatitura mirë për t’u përballur më COVID-19 dhe për të ofruar shërbime cilësore për nënat dhe fëmijët”, tha ai.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, shprehu mirënjohje për këtë donacion, duke thënë se ai është pjesë e bashkëpunimit mbi 10-vjecar dhe i cili sjellë benefite për klinikat.

“Ne jemi jashtëzakonisht falënderues për mbështetjen e vazhdueshme, e sidomos gjatë këtyre kohëve shumë të vështira për QKUK dhe shërbyesit shëndetësorë. Këto mjete që janë dorëzuar sot janë shumë të rëndësishme që ne të mund të kryejmë punën tonë siç është më së miri”, u shpreh Krasniqi.

Donacioni i sotëm është i treti me radhë gjatë pandemisë COVID-19 nga Action for Mothers and Children.