Оsmani-Bërnz: Marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve janë jashtëzakonisht të forta dhe miqësore

Shkup, 12 gusht – Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, sot realizoi takim me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Kejt Meri Bërnz.

Bashkëbiseduesit, siç theksohet në kumtesën e MPJ-së i vlerësuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve si jashtëzakonisht të forta dhe miqësore, të bazuara në partneritetin strategjik dhe anëtarësimin në aleancën e NATO-s. Në takim u theksua interesi i përbashkët për dialog të vazhdueshëm politik dhe për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të gjithanshëm.

“Ministri Osmani e njoftoi ambasadoren Bërnz rreth aktualiteteve më të reja politike, me fokus të veçantë aktivitetet lidhur me perspektivën evropiane të vendit në periudhën që vijon. Në takim u shpreh mirënjohja për mbështetjen e vazhdueshme dhe kyçe që SHBA-të ia ofrojnë Republikës së Maqedonisë së Veriut në kontekst të realizimit të aspiratave strategjike të politikës së jashtme”, thonë në MPJ.

Me këtë rast, Osmani theksoi rolin tejet të rëndësishëm të SHBA-ve në arritjen e stabilitetit afatgjatë, demokratizimit të mëtejshëm dhe prosperitetit të rajonit, ndërsa u falënderua për ndihmën e SHBA-së në luftën kundër pandemisë me KOVID-19, si dhe në betejën aktuale me zjarret pyjore.